Hyrje info Shqiperia info Biznesi Qender Burimore Mundesi Biznesi
   
 Ligji per Shoqerite Tregtare  
     Kreu

1 Dispozita te pergjithshme
2 Shoqerite Kolektive
3 Shoqerite Komandite
4 Shoq. me Pergjegjesi te Kufizuar
5 Shoqerite Anonime (Sh.A)
6 Dispozita te perbashketa
7 Dispozita penale

oferte nga ALBIC   
ALBIC ju ofron rregjistrim domain-i dhe adrese email-i pop3.
Cilesi e larte dhe cmimet me te lira ne treg.

domain: emrifirmes.albic.net
email: emrijuaj@albic.net

Reklama juaj   
Ketu mund te ishte reklama juaj!

Reklamoni ne ALBIC

 

LIGJ

Nr.7638, datë 19.11.1992

PER SHOQERITE TREGTARE

Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 "Për dispozitat kryesore kushtetuese",
me propozim të Këshillit të Ministrave,

KUVENDI POPULLOR
I REPUBLIKES SE SHQIPERISE

V E N D O S I:

KREU I: DISPOZITA TE PERGJITHSHME

Neni 1: Përkufizimi i shoqërisë

Shoqëria themelohet nga dy a më shumë persona, që merren vesh nëpërmjet një kontrate për të destinuar në një sipërmarrje të përbashkët pasuritë ose shërbimet e tyre, me qëllim që të ndajnë fitimin ose të përfitojnë nga të ardhurat që mund të rrjedhin prej saj.

Ortakët marrin përsipër të paguajnë pjesën që u takon në humbjet.
Në rastet e parashikuara me ligj ajo mund të themelohet edhe nëpërmjet aktit të vullnetit të shprehur nga një person i vetëm.

Neni 2: Karakteri tregtar

Karakteri tregtar i një shoqërie përcaktohet nga forma ose objekti i saj.

Shoqëritë kolektive, shoqëritë komandite, shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar dhe shoqëritë anonime janë tregtare për shkak të formës së tyre, pavarësisht se çfarë objekti kanë.

Neni 3: Statuti

Statuti i shoqërisë cakton formën, kohëzgjatjen, emërtimin, objektin dhe shumën e kapitalit themeltar.

Neni 4: Selia

Shoqëritë, selia e të cilave ndodhet në territorin e Republikës së Shqipërisë, i nënshtrohen legjislacionit shqiptar.

Të tretët mund të përfitojnë nga selia e caktuar në statut, por shoqëria duhet t'ia njohë këtë edhe në rast se selia reale e saj ndodhet në një vend tjetër.

Neni 5: Formalitetet e publikimit

Formalitetet e publikimit që kërkohen gjatë formimit të shoqërisë ose për aktet dhe vendimet e mëvonshme caktohen me ligj të veçantë. Me atë ligj do të caktohen edhe kushtet sipas të cilave gazetat autorizohen të pranojnë njoftime lifjore.

Neni 6: Personaliteti juridik, akte për shoqëritë në formim e sipër

Shoqëritë tregtare fitojnë personalitet juridik që nga data e regjistrimit të tyre në regjistrin tregtar. Ndryshimet e një shoqërie në përputhje me këtë ligj, duke përfshirë edhe zgjatjen e afatit, nuk sjellin si pasojë krijimin e një personi juridik të ri.

Personat, që kanë një emër të një shoqërie në formim e sipër, përpara se ajo të ketë fituar personalitetin juridik, mbajnë përgjegjësi solidarisht për aktet e kryera, të paktën për aq kohë sa shoqëria, pasi të jetë themeluar dhe regjistruar në mënyrë të rregullt, nuk i ka marrë ende përsipër detyrimet përkatës.

Detyrimet në këtë rast konsiderohen si të pranuara nga shoqëria që në origjinën e saj.

Neni 7: Padia për parregullshmërinë e themelimit ose të ndryshimit të statutit

Çdo i interesuar ka të drejtë të kërkojë nga gjykata që të urdhërohet në mënyrë të detyruar rregullimi ligjor i kërkesave për themelimin e shoqërisë, si dhe për statutin dhe ndryshimet e tij, në rast se ligjet nuk janë marrë parasysh ose veprimet janë kryer në mënyrë të parregullt.

Padia e përmendur në paragrafin e parë parashkruhet për tre vjet, duke filluar nga data e regjistrimit apo e ndonjë ndryshimi në regjistrin tregtar.

Neni 8: Përgjegjësia për themelimin e parregullt

Themeluesit e shoqërisë dhe anëtarët e parë të organeve të administrimit, të drejtimit dhe të mbikëqyrjes mbajnë përgjegjësi solidarisht për dëmin e shkaktuar nga parregullshmëria e statutit si dhe nga moszbatimi ose zbatimi i parregullt i formaliteteve ligjore në fuqi për themelimin e shoqërive.

Dispozitat e paragrafit të mësipërm janë të zbatueshme, në rast ndryshimi të statutit, ndaj anëtarëve të organeve të administrimit, të drejtimit, të mbikëqyrjes dhe të kontrollit, që janë në detyrë gjatë ndryshimit të përmendur.

Padia parashkruhet për dhjetë vjet, duke filluar nga data e regjistrimit të shoqërisë në regjistrin tregtar ose nga data e ndryshimit në ketë regjistër dhe e depozitimit të akteve që ndryshojnë statutin në aneks të regjistrit.

Neni 9: Pasoja e publikimeve ose e ndryshimeve që ka të bëjë me administratorët

As shoqëria, as te tretët nuk mund t'u shmangen detyrimeve të tyre, për të përfituar nga parregullsitë në emërtimin e personave të ngarkuar për të administruar ose drejtuar shoqërinë, kur ky emërim është publikuar në mënyrë të rregullt.

Shoqëria nuk mund të përfitojë ndaj të tretëve nga emërimet dhe shkarkimet nga funksionet të personave të sipërpërmendur, përderisa ato nuk janë publikuar në mënyrë të rregullt.

Neni 10: Bashkimi i pjesëve të kapitalit themeltar në një dorë të vetme

Bashkimi i gjithë pjesëve të kapitalit themeltar në një dorë të vetme nuk çon në prishjen e shoqërisë. Kur ligji kërkon detyrimisht më shumë se një ortak, çdo i interesuar mund të kërkojë në gjykatë prishjen e shoqërisë, në qoftë se situata nuk është rregulluar në rrugë ligjore brenda një afati prej një viti. Gjykata mund t'i japë shoqërisë një afat maksimal prej gjashtë muajsh për të rregulluar situatën. Ako nuk mund të shpallë prishjen, në qoftë se ky rregullim është bërë në ditën kur ajo mblidhet për të bërë vendimin.

Neni 11: Vlerësimi i të drejtave të ortakëve në shoqëri

Në të gjitha rastet kur parashikohen transferimi i të drejtave të një ortaku ose riblerja e tyre nga shoqëria, vlerësimi i këtyre të drejtave, në rast mospranimi, bëhet nga një ekspert. Eksperti caktohet nga palët. Kur ato nuk merren vesh ndërmjet tyre, ai caktohet nga gjykata me procedurë urgjente dhe vendim te formës së prerë. Statuti mund të parashikojë rregulla të ndryshme.

Neni 12: Përkufizimi i "gjykatës" kompetente

Me përjashtim të rastit kur përcaktohet ndryshe, gjykata e përmendur në këtë ligj si "gjykatë" është gjykata e shkallës së parë.

KREU II: SHOQERITE KOLEKTIVE

Neni 13: Përkufizim

Në shoqëritë kolektive të gjithë ortakët kanë cilësinë e tregtarit dhe përgjigjen pa kufizim e solidarisht për borxhet e shoqërisë.

Kreditorët mund të padisin një ortak për shlyerjen e borxheve që u ka shoqëria, vetëm pasi të kenë dështuar në paralajmërimin drejtuar shoqërisë.

Neni 14: Emërtimi i shoqërisë

Shoqëria kolektive ka një emërtim, në të cilin mund të përfshihet emri i një ose më shumë ortakëve, duke vënë përpara ose menjëherë pas tij fjalët "shoqëri kolektive".

Neni 15: Administratorët

Të gjithë ortakët janë administratorë, me përjashtim të rastit kur ekziston një dispozitë e kundërt në statut, e cila mund të caktojë një a më shumë administratorë, ortakë ose joortakë, ose të parashikojë caktimin e tyre me një akt të mëvonshëm.

Në qoftë se një person juridik është administrator, në kuptimin e paragrafit të mësipërm, drejtuesit e tij, pa përjashtuar nga përgjegjësia e përbashkët personin juridik që ai përfaqëson, u nënshtrohen të njëjtave kushte e detryrime dhe mbajnë të njëjtat përgjegjësi civile a penale sikur të ishin administratorë ose emrin e tyre personal.

Neni 16: Kompetencat e administratorit nda ortakëve

Administratori në marrëdhënie ndërmjet ortakëve dhe në mungesë të përcaktimit të kompetencave të tij nga statuti, mund të kryejë të gjitha veprimet e administrimit në interes të shoqërisë.

Administratorët, kur jane disa të tillë, mbajnë veçmas njëri-tjetrit kompetencat e parashikuara në paragrafin e mësipërm, duke ruajtur seili të drejtën të mos kundërshtohet për çdo operacion, para se ky tëketë përfunduar.

Neni 17: Kompetencat e administratorit ndaj të tretëve

Në marrëdhëniet me të tretët administratori angazhon shoqërinë nëpërmjet akteve që janë në përputhje me objektin e saj.

Në rastin e shumë administratorëve, dy prej tyre mbajnë se bashku kompetencat e parashikuara në paragrafin e mësipërm. kundërshtimi që bën një administrator për aktet e një administratorri tjetër është pa pasoja ndaj të tretëve, të paktën për rastin kur është provuar se të tretët nuk kanë pasur dijeni për këtë përgjegjësi të përbashkët të administratorëve.

Statuti i jep disa administratorëve mundësinë për të ushtruar të vetëm kompetencat e parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni.

Dispozitat e statutit që kufizojnë kompetencat e administratorëve të caktuara në këtë nen, duhet të respektohen nga të tretët.

Neni 18: Marrja e vendimeve

Vendimet që tejkalojnë kompetencat që u njihen administratorëve, përfshihen këtu esdhe ndryshimet e statutit, merren me unanimitet nga ortakët. Statuti mund të caktojë që disa vendime të merren nga një shumicë e caktuar ortakësh.

Statuti gjithashtu mund të caktojë marrjen e vendimeve nëpërmjet konsultimit me shkrim, në qoftë se ndonjë prej ortakëve nuk ka kërkuar mbledhjen e asamblesë.

Neni 19: Miratimi i raporteve vjetore të shoqërisë

Raporti i administrimit, inventari, bilanci dhe llogaritë vjetore, të hartuara nga administratorët, i nënshtrohen miratimit të asamblesë së ortakëve brenda një afati prej gjashtë muajsh, duke filluar nga data e mbylljes së vitit financiar.

Dokumentet e përmendura në paragrafin e mësipërm, teksti i vendimeve të propozuara si dhe, në qoftë se është e nevojshme, raporti i ekspertëve kontabël të autorizuar, u komunikohen ortakëve të paktën pesëmbëdhjetë ditë përpara mbledhjes së asamblesë. Çdo vendim i marrë, duke shkelur rregullat e paragrafit të mësipërm, mund të anullohet.

Çdo klauzolë e kundërt me ketë nen konsiderohet e pavlefshme.

Neni 20: Procesverbali i çështjeve të shqyrtuara

Për çdo çështje të shqyrtuar nga ortakët mbahet procesverbal në një regjistër të veçantë që depozitohet në selinë e shoqërisë.

Neni 21: Të drejtat e ortakëve që nuk janë administratorë

Ortakët që nuk janë administratorë, kanë të drejtë në çdo kohë të informohen personalisht për veprimtarinë e shoqërisë dhe të njihen me llogaritë dhe dokumentet e shoqërisë.

Statuti mund të parashikojë dispozita kufizuese, per ortakët që nuk janë administratorë. Megjithatë ata nuk pengohen për t'u informuar kur dyshohet për administrim të parregullt.

Neni 22: Shkarkimi i administratorëve

Shkarkimi nga funksioni i njërit prej administratorëve vendoset me unanimitetin e ortakëve të tjerë, në qoftë se një a më shumë administratorë, ose në qoftë se një a më shumë administratorë të zgjedhur ndërmjet ortakëve janë emëruar sipas statutit. Kjo provokon prishjen e shoqërisë, të paktën kur vazhdueshmëria e saj nuk është parashikuar nga statuti ose kur ortakët e tjerë nuk vendosin shkarkimin e administratorit me unanimitet.

Administratori i shkarkuar ka të drejtë të vendosë të tërhiqet nga shoqëria, duke kërkuar prej saj që t'i rikthejë të drejtat e tij.

Në qoftë se një ose më shumë ortakë janë administratorë dhe nuk janë caktuar nga statuti, secili prej tyre mund të shkarkohet nga funksionet e tij në kushtet e parashikuara nga statuti ose, përndryshe, mund të shkarkohet me një vendim unanim të ortakëve të tjerë, qofshin këta administratorë ose jo.

Administratori që nuk është ortak, mund të shkarkohet në kushtet e caktuara nga statuti ose në mungesë të tyre, mund të shkarkohet me vendim të shumicës së ortakëve.

Në qoftë se shkarkimi vendoset pa pasur arsye të drejtë, kjo gjë mund të lërë shteg për dëmshpërblimet përkatëse.

Neni 23: Transferimi i pjesëve të kapitalit themeltar

Pjesët e kapitalit themeltar nuk mund të përfaqësohen nga letra me vlerë që janë të tregtueshme. Çdo klauzolë e kundërt konsiderohet e pavlefshme.

Pjesët e kapitalit themeltar mund të transferohen vetëm me pëlqimin e të gjithë ortakëve. Çdo transferim i pjesëve të kapitalit themeltar duhet të evidencohet me shkrim.

Të tretët dhe shoqëria duhet të respektojnë transferimin sapo të kryhen e të shënohen në regjistrin tregtar formalitetet e kërkuara për ndryshimin e statutit.

Neni 24: Vdekja e një ortaku

Shoqëria prishet me vdekjen e një ortaku. Ajo mund të vazhdojë veprimtarinë e saj me kusht që rregullat e mëposhtme të mos jenë në kundërshtim me statutin:

- Vazhdueshmëria mund të vendoset me unanimitetin e ortakëve që mbeten gjallë dhe trashëgimtarëve të ortakut të vdekur;

- Në qoftë se trashëgimtarët nuk dëshirojnë të hyjnë në shoqëri ose janë të paaftë për këtë, veçanërisht në rastin kur njëri prej trashëgimtarëve është i mitur, vazhdueshmëria e shoqërisë mund të vendoset me unanimitet nga ortakët e tjerë, me kusht që ata të riblejnë të drejtat mbi shoqërinë të përfshira në trashëgiminë e ortakut të vdekur.

Neni 25: Falimentimi, privimi i të drejtave ose paaftësia e një ortaku

Shoqëria prishet në rast falimentimi, privimi të të drejtave për të ushtruar një profesion tregtar ose paaftësie që prek një prej ortakëve, me përjashtim të rastit kur vazhdueshmëria e saj është e caktuar në statut ose kur ortakët e tjerë vendosin me unanimitet vazhdueshmërinë e saj, mbasi kanë pranuar kushtin e riblerjes të të drejtave mbi shoqërinë prej ortakut që është bërë i paaftë.

KREU III: SHOQERITE KOMANDITE

Neni 26: Përkufizimi dhe statuti i ortakëve

Në shoqëritë komandite përveç ortakëve "të pakufizuar", që kanë statutin e ortakëve të shoqërisë kolektive, marrin pjesë edhe "ortakët e kufizuar". Këta të fundit përgjigjen për detyrimet e shoqërisë vetëm deri në kufirin e vlerës së kontributit të tyre në kapitalin themeltar. Ky kontribut nuk mund të jetë një kontribut në shërbime.

Neni 27: Zbatimi i dispozitave të shoqërive kolektive në shoqëritë komandite

Dispozitat që u përkasin shoqërive dhe dispozitat e këtij kreu janë të zbatueshme për shoqëritë komandite.

Neni 28: Emërtimi i shoqërisë

Shoqëria komandite ka një emërtim, në të cilin mund të përfshihet emri i një ose më shumë ortakëve, duke vënë përpara ose menjëherë pas tij fjalët "shoqëri komandite".

Neni 29: Statuti

Statuti i shoqërisë duhet të përmbajë të dhënat e mëposhtme:

1. Shumën ose vlerën e kontributeve të të gjithë ortakëve;

2. Pjesën në këtë shumë osë në këtë vlerë të çdo ortaku të "pakufizuar ose "të kufizuar"'

3. Pjesën e përgjithshme të ortakëve "të pakufizuar" dhe pjesën e sçdo ortaku "të kufizuar" në shpërndarjen e fitimeve dhe në shumën që mbetet pas likuidimit të shoqërisë.

Neni 30: Marrja e vendimeve

Vendimet merren në pëeputhje me kushtet e përcaktuara në statut. Megjithatë, mbledhja e asamblessë së të gjithë ortakëve është ligjore në qoftë se ajo kërkohet ose nga një ortak i "pakufizuar" ose nga një e katërta, për nga numri dhe kapitali i ortakëve "të kufizuar".

Neni 31: Kompetencat e ortakut "të kufizuar"

Ortaku "i kufizuar" nuk mund të bëjë asnjë veprim të jashtëm administrimi, qoftë edhe në bazë të një prokure.

Në rast kundërvajtjeje ndaj ndalimit të parashikuar në paragrafin e mësipërm, ortaku "i kufizuar" humbet statusin e tij dhe detyrohet solidarisht me ortakët e "pakufizuar" të përgjigjet për borxhet dhe detyrimet e shoqërisë që rezultojnë nga veprimet e ndaluara. Sipas numrit ose rëndësisë së veprimeve të ndaluara ai mund të deklarohet përgjegjës solidarisht për gjithë detyrimet e shoqërisë ose disa prej tyre.

Neni 32: E drejta për t'u informuar

Ortakët "e kufizuar" kanë të drejtë të njihet dy herë në vit me librat dhe dokumentet e shoqërisëë dhe të bëjnë pyetje me shkrim për administrimin e saj, për të cilat ai duhet të marrë përgjigje me shkrim. Statuti mund të parashikojë të drejta më të gjera.

Neni 33: Transferimi i pjesëve të kapitalit themeltar

Pjesët e kapitalit themeltar mund të transferohen vetëm me pëlqimin e të gjithë ortakëve.

Megjithatë statuti mund të parashikojë:

1. Që pjesët e kapitalit themeltar të ortakëve "të kufizuar" të jenë lirisht të transferueshme tek ortakët e tjerë;

2. Që pjesët e kapitalit themeltar të ortakëve "të kufizuar" të mund t'u transferohen të tretëve me pëlqimin e të gjithë ortakëve "të pakufizuar", si dhe të shumicës për nga numri dhe kapitali të ortakëve "të kufizuar";

3. Që një ortak "i pakufizuar" të mund t'i transferojë një pjesë të kapitalit të tij themeltar një ortaku "të kufizuar" ose një të treti me kushtet e parashikuara në pikën 2 të këtij neni.

Neni 34: Kriteri i shumicës për ndryshimet e statutit

Ndryshimet në statut mund të vendosen me pëlqimin e të gjithë ortakëve "të pakufizuar" dhe të shumicës, për nga numri dhe kapitali, të ortakëve "të kufizuar".

Statuti mund të parashikojë klauzola që përcaktojnë kushte më rigoroze për kriterin e shumicës.

Neni 35: Vdekja e një ortaku

Shoqëria vazhdon edhe kur vdes një nga ortakët "e kufizuar".

Në qoftë se ka marrëveshje që, kur vdes një nga ortakët "e pakufizuar", shoqëria vazhdon me trashëgimtarët e tij, këta bëhen ortakë "të kufizuar", kur janë të mitur. Në qoftë se ortaku i vdekur ishte i vetmi ortak "i pakufizuar" dhe në qoftë se të gjithë trashëgimtarët e tij janë të mitur, duhet të veprohet për zevendësimin e tij me një ortak të ri "të pakufizuar" ose për shndërrimin e shoqërisë në një formë tjetër brenda një afati prej një viti, duke filluar nga data e vdekjes. Në të kundërt shoqëria prishet në përfundim të këtij afati.

Neni 36: Falimentimi, privimi i të drejtave ose paaftësia e një orrtaku "të kufizuar"

Shoqëria prishet në rast falimentimi të njërit prej ortakëve "të pakufizuar", privimi të drejtash për të ushtruar një profesion tregtar ose paaftësie që prek njërin prej ortakëve "të pakufizuar", me përjashtim të rasteve, kur nëse ekzistojnë një ose më shumë ortakë të tjerë "të pakufizuar", vazhdueshmëria e shoqërise caktohet me statut ose kur ortakët vendosin me unanimitet këtë vazhdueshmëri, mbasi të kenë pranuar kushtin e riblerjes të ë drejtave në shoqëri prej ortakut që është bërë i paaftë.

KREU IV: SHOQERITE ME PERGJEGJESI TE KUFIZUAR

Neni 37: Përcaktimi dhe emërtimi, udhëzime mbi aktet dhe dokumentet

Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar themelohet nga një ose disa ortakë që përballojnë humbjet veëm deri në kufirin e vlerës së kontributit të tyre në kapitalin themeltar.

Në qoftë se shoqëria përbëhet vetëm nga një person, ky quhet "ortak i vetëm". "Ortaku i vetëm" ushtron kompetencat që i janë caktuar asamblesë së ortakëve me dispozitat e këtij kreu.

Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar ka një emërtim, në të cilin mund të përshihet emri i një ose më shumë ortakëve, duke vënë përpara ose menjëherë pas tij fjalët "shoqëri me përgjegjësi të kufizuar" ose inicialet "SHPK", si dhe të përmendet kapitali themeltar. Këto emërtimre dhe emri i administratorit ose administratorëve duhe të figurojnë në të gjitha aktet ose dokumentet e nxjerra nga shoqëria dhe që u drejtohen të tretëve.

Neni 38: Kapitali themeltar

Vlera minimale e kapitalit themeltar të kësaj forme shoqërie është 100 000 lekë. Këshilli i Ministrave ngarkohet që, në përputhje me nivelin e inflacionit, të ricaktojë vlerën minimale të kapitalit themeltar.

Ky kapital ndahet në pjesë të barabarta, vlera nominale e të cilave nuk mund të jetë më e vogël se 1000 lekë.

Zvogëlimi i kapitalit themeltar në një vlerë më të vogël se ajo e përcaktuar në paragrafin e parë të këtij nenu, e detyron shoqërinë të shndërrohet në një formë tjetër, në qoftë se ajo nuk merr një vendim për rritjen e kapitalit themeltar të paktën deri në vlerën e mësipërme. Në rast moszbatimi të dispozitave të këtij paragrafi, çdo i interesuar mund të kërkojë në gjykatë prishjen e shoqërisë. Kjo prishje nuk mund të shpallet në qoftë se rregullimi është bërë ditën kur gjykata mblidhet për të marrë vendimin.

Neni 39: Akti themelues

Të gjithë ortakët duhet të marrin pjesë në aktin themelues të shoqërisë personalisht ose nëpërmjet personave të tjerë të autorizuar prej tyre e të pajisur me prokurrë.

Neni 40: Nënshkrimi dhe shlyerja e pjesëve të kapitalit themeltar

Të gjitha pjesët e kapitalit themeltar duhet të nënshkruhen në tërësinë e tyre nga ortakët dhe të shlyhen krejtësisht si për rastet kur përfaqësojnë kontribute në natyrë, ashtu edhe për kontributet në para. Ato nuk përfaqësojnë kontribute në shërbime. Pjesëmarrja në kapitalin themeltar shënohet në statut.

Fondet në para që vijnë nga shlyerja e pjesëve të kapitalit themeltar, depozitohen, brenda tetë ditësh nga grumbullimi i tyre, për llogari të shoqërisë në formim e sipër te një noter ose në një bankë. Në statut vihet shënim për shlyerjen e pjesëve të kapitalit themeltar dhe për depozitimin e fondeve.

Neni 41: Tërheqja e fondeve

Tërheqja e fondeve që vijnë nga shlyerja e pjesëve të kapitalit themeltar, bëhet nga personi i pajisur me mandat nga shoqëria vetëm me paraqitjen e një çertefikate që vërteton regjistrimin e shoqërisë në regjistrin tregtar.

Në qoftë se shoqëria nuk themelohet brenda një afati prej gjashtë muajsh, duke filluar nga data e depozitimit të parë të fondeve, kontribuesit kanë të drejtë individualisht a nëpërmjet një mandatmbajtësi që i përfaqëson kolektivisht, të kërkojnë në rrugë gjyqësore autorizim për tërheqjen e shumës së kontributeve të tyre.

Në qoftë se kontribuesit vendosin më vonë të themelojnë shoqërinë, duhet përsëri të depozitojë fondet përkatëse.

Neni 42: Kontribute në natyrë

Statuti duhet të përmbajë vlerësimin e çdo kontributi në natyrë. Këtu procedohet nëpërmjet një raporti që i bashkëngjitet statutit, i cili hartohet nën përgjegjësinë e tij nga një ekspert për kontributet i emëruar me unanimitet nga ortakët e ardhshëm ose me vendim gjyqi ose me vendim gjyqi sipas kërkesës së njërit prej ortakëve të ardhshëm që e ndërmerr i pari këtë nismë.

Megjithatë ortakët e ardhshëm mund të vendosin me unanimitet që të mos drejtohen për ndihmë te një ekspert për kontributet, në qoftë se vlera e çdo kontributi në natyrë nuk tejkalon vlerën e kapitalit minimal të vlefshëm për krijimin e kësaj shoqërie në përputhje me nenin 38 të këtij ligji, dhe në qoftë se vlera e përgjithshme e bashkësisë së kontributeve në natyrë nuk tejkalon gjysmën e kapitalit themeltar.

Në qoftë se shoqëria themelohet nganjë person i vetëm, eksperti për kontributet caktohet nga ortaku i vetëm. Megjithatë kërkesa për ndihmë te një ekspert për kontributet nuk është e detyrueshme, në qoftë se janë plotësuar kushtet e parashikuara në paragrafin e mëparshëm.

Në qoftë se nuk ka pasur ekspert për kontriubutet ose në qoftë se vlera e kontributit në natyrë është më e madhe se ajo e propozuar nga eksperti për kontributet ortakët janë solidarisht përgjegjës gjatë pesë vjetëve, kundrejt të tretëve, për tërë vlerën e caktuar të kontributeve në natyrë në kohën e themelimit të shoqërisë.

Neni 43: Personat përgjegjës për pavlefshmërinë e themelimit të shoqërisë

Administratorët e emëruar në momentin e themelimit të shoqërisë dhe ortakët themelues që janë fajtorë për pavlefshmërinë e saj, janë solidarisht përgjegjës kundrejt ortakëve të tjerë dhe të tretëve për dëmin që rrjedh nga anulimi i themelimit.

Padia parashkruhet për tre vjet, duke filluar nga dita e hyrjes në fuq të vendimit të anulimit.

Neni 44: Ndalimi për të emetuar ose garantuar letra me vlerë

Ndalohet emetimi i letrave me vlerë nga shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar. Po qe se bëhet një gjë e tillë, ky emision është i pavlefshëm.

Atyre u ndalohet gjithashtu të garantojnë emisione letrash me vlerë, me përjashtim të rastit kur bëhet fjalë për një emision obligacionesh që gëzon garanci të subvencionuar nga shteti. Në rast të kundërt kjo është e pavlefshme.

Neni 45: Forma e pjesëve të kapitalit themeltar dhe e transferimit të tyre

Pjesët e kapitalit themeltar nuk mund të përfaqësohen nga letra me vlerë të tregtueshme.

Transferimet e pjesëve të kapitalit themeltar duhet të vërtetohen me një akt noterial.

Shoqëria ose të tretët duhet të respektojnë këto transferime sapo t'i bëhen të ditura asaj.

Neni 46: Transferimi i pjesëve të kapitalit themeltar me trashëgimi ose brenda familjes

Pjesët e kapitalit themeltar janë lirisht të transferueshme me rrugë trashëgimie. Ato janë lirisht të transferueshme edhe në rast ndarjeje pasurore mes bashkëshortëve. Gjithashtu janë lirisht të transferueshme ndërmjet bashkëshortëve, si dhe ndërmjet paraardhësve dhe pasardhësve.

Statuti mnd të caktojë klauzola të veçanta që bashkëshorti, trashëgimtari, paraardhësi ose pasardhësi bëhen ortak, nëpërmjet transferimit të pjesëve të kapitalit themeltar, vetëm pasi të jetë miratuar nga ortakët sipas kushteve që caktojnë ata. Kushtet për ortakun e ri nuk mund të jenë më pak të favorshme se ato të caktuara për të tretët për rastet e transferimit të pjesëve të kapitalit themeltar, përndryshe klauzola e sipërpërmendur është e pavlefshme. Në rast se refuzohet miratimi i ortakut të ri zbatohen rregullat e nenit 47, paragarfi 4 i këtij ligji. Në qoftë se asnjë nga zgjidhjet e parashikuara në këtë paragraf nuk arrihet në afatet e caktuara me ligj, miratimi konsiderohet i dhënë.

Neni 47: Transferimi te të tretët

Pjesët e kapitalit themeltar mund t;u transferohen personave të tretë që nuk bëjnë pjesë në shoqëri, vetëm me miratimin e shumicës së ortakëve që përfaqësojnë të paktën tre të katërtat e pjesëve të kapitalit themeltar.

Projekti i transferimit i njoftohet shoqërisë dhe secilit prej ortakëve.

Në rast se shoqëria nuk ka bërë të ditur vendimin e saj brenda tre muajve nga data e njoftimit të fundit sipas paragafit të mësipërm, miratimi i transferimit konsiderohet i dhënë.

Në ras se shoqëria refuzon të japë miratimin e transferimit, ortakët, brenda tre muajve nga data e këtij refuzimi, duhet të blejnë apo të lejojnë blerjen e pjesëve të kapitalit themeltar me vlerën e përcaktuar sipas rregullave të nenit 11 të këtij ligji.

Neni 48: Lënia peng

 Shoqëria ka të drejtë, kur bie dakord të lërë peng pjesë të kapitalit të saj themeltar. Në rast shitjeje të detyruar të pjesëve të lëna peng, pengmarrësi do të pranohet si perosn që i transferohen pjesët e kapitalit, me përjashtim të rastit kur shoqëria preferon t'i riblejë pjesët pa vonesë, me qëllim që eventualisht të zvogëlojë kapitalin e saj themeltar.

Neni 49: Transferimi ndërmjet ortakëve

Pjesët e kapitalit themeltar janë lirisht të transferueshme ndërmjet ortakëve.

Në rast se statuti përmban jnë klauzolë që kufizon transferimin, janë të zbatueshme dispozitat e nenit 47 të këtij ligji.

Neni 50: Administrimi

Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar administrohen nga një ose disa persona fizikë.

Administratorët mund të zgjidhen jashtë bashkësisë së ortakëve. Ata emërohen me vendim të ortakëve që përfaqësojnë më tepër se gjysmën e pjesëve të kapitalit themeltar.

Në mungesë të dispozitave përkatëse në statut, ata janë të emëruar për tërë periudhën e ekzistencës së shoqërisë.

Kompetencat e administratorëvenë marrëdhëniet ndërmjet ortakëve caktohen në statut dhe, në rast se mungojnë, caktohen sipas nenit 16 të këtij ligji.

Administratori ka të gjitha kompetencat për të vepruar në marrëdhënie me të tretët në emër të shoqërisë, në të gjitha rrethanat me përjashtim të kompetencave që ligji ua jep shprehimisht ortakëve. Shoqëria merr përsipër detyrimet që rrjedhin nga e administratorëve edhe kur këto akte nuk përfshihen në objektin e shoqërisë. Shoqëria nuk merr përsipër pasojat ndaj të tretëve kur ajo provon se të tretët e dinin që akti i administratorëve e kalonte objektin e shoqërisë ose kur të tretët nuk mund ta injoronin këtë akt në rrethanat e dhëna, duke patur parasysh faktin se vetëm shpallja e statutit nuk është provë e mjaftueshme.

Klauzolat e statutit që kufizojnë kompetencat e administratorit, të cilat rrjedhin nga ky nen, duhet të respektohen nga të tretët.

Në rastin e shumë administratorëve, dy prej tyre mbajnë bashkërisht kompetencat e parashikuara në këtë nen. Kundërshtimi i shfaqur nga një administrator ndaj veprimeve të administratorit tjetër, është pa pasoja ndaj të tretëve, të paktën për rastin kur është provuar se të tretët nuk kanë pasur dijeni për këtë përgjegjësi të përbashkët të administratorëve. Statuti mund t'u japë disa administratorëve të drejtën për të ushtruar të vetëm kompetencat e parashikuara në këtë nen.

Neni 51: Marrëveshjet ndërmjet shoqërisë dhe një prej administratorëve ose ortakëve të saj

Administratori ose eksperti kontabël i autorizuar, po qe se ka të tillë, përgatit raport për marrëveshjet e arritura, direkt apo nëpërmjet një personi ndërmjetës, midis shoqërisë dhe një prej administratorëve ose ortakëve të saj. Ky raport parraqitet në asamble ose i bashkëngjitet dokumenteve që u paraqiten ortakëve në rastin e konsultimeve me shkrim. Asambleja vendos rreth këtij raporti. Administratori ose ortaku i interesuar nuk mund të marrë pjesë në votim dhe pjesët e tij të kapitalit themeltar nuk merren parasysh në llogaritjen e quorumit dhe të shumicës.

Në rast se shoqëria përbëhet nganjë ortak i vetëm dhe po qe se marrëveshja është realizuar me këtë ortak, bëhet vetëm një shënim në regjistrin e çështjeve të shqyrtuara.

Pasojat e marrëveshjeve të pamiratuara nga asambleja që i sjellin dëm shoqërisë, i ngarkohen administratorit dhe ortakut që ka bërëmarrëveshjen, për të përballuar në mënyrë individuale ose solidarisht sipas rastit pasojat përkatëse.

Dispozitat e këtij neni shtrihen edhe për marrëveshjet e kryera me një shoqëri, në të cilën një ortak "i pakufizuar", administrator, anëtar i drejtorisë apo këshillit mbikëqyrës, është njëkohësisht administrator apo ortak i shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar.

Rregullat e këtij neni nuk zbatohen për marrëveshjet që bëhen për operacionet e përditshme dhe të kryera në kushte normale.

Neni 52: Marrëveshjet e ndaluara

Administratorëve ose ortakëve që nuk janë persona juridikë nuk u lejohet të kontraktojnë në çfarëdolloj forme qoftë, të marrin hua te shoqëria, të japin pëlqimin në emër të saj, për paradhënie si dhe të bëhen dorëzënës apo të garantojnë në emër të saj angazhimet ndaj të tretëve. Në rast të kundërt kontrata është e pavlefshme. Kjo masë ndaluese zbatohet edhe ndaj përfaqësuesve ligjorë të ortakëve që janë persona juridikë.

Kjo masë zbatohet gjithashtu ndaj bashkëshortëve, paraardhësve dhe pasardhësve të personave të cituar në paragrafin e parë të këtij neni, si dhe ndaj çdo personi ndërmjetës.

Neni 53: Përgjegjësia ligjore e administratorëve

Administratorët janë përgjegjës individualisht ose solidarisht, sipas rastit, ndaj shoqërisë ose ndaj të tretëve, për shkelje të ligjeve, për shkelje të statutit, apo për faje të kryera gjatë administrimit të shoqërisë.

Në rast se disa administratorë janë bashkëfajtorë, masa e kontributit që duhet të paguajë secili për shlyerjen e dëmit, vendoset nga gjykata.

Përveç padisë për shlyerjen e dëmit që u ngarkohet personalisht, ortakët individualisht ose në grup, kanë të drejtë të ngrenë padinë penale kundër administratorëve.

Paditësit kanë të drejtë të ndjekin në rrugë ligjore shlyerjen e plotë të dëmit që i është shkaktuar shoqërisë, përfshirë edhe dëmshpërblimin financiar, nëse është e nevojshme.

Konsiderohet e pavlefshme çdo klauzolë e statutit, që synon të kushtëzojë ngritjen e padisë gjyqësore me marrjen e një mendimi paraprak a të një autorizimi nga asambleja ose kur kjo klauzolë do të përfshinte paraprakisht mospranimin për ngritjen e kësaj padie.

Asnjë vendim i asamblesë nuk mund të ndalojë kërkesë padinë kundër administratorëve për gabimet e kryera prej tyre gjatë ushtrimit të detyrës.

Neni 54: Parashkrimi i padive gjyqësore

Paditë që parashikohen në nenet 51 dhe 53 parashkruhen për tre vjet, duke filluar nga data kur është kryer veprimi i dëmshëm ose, në rast se ai ka qenë i fshehur, nga data e zbulimit të tij.

Në rast se veprimi përbën një krim, padia parashkruhet pas 10 vjetësh.

Neni 55: Shkarkimi i administratorëve

Administratori shkarkohet me vendim të ortakëve që përfaqësojnë më tepër se gjysmën e pjesëve të kapitalit themeltar. Çdo klauzolë e kundërt konsiderohet e pavlefshme. Në rast se shkarkimi është bërë pa arsye të drejtë, ai lë shkak për dëmshpërblim financiar.

Përveç kësaj, administratori shkarkohet nga gjykata për shkelje të ligjit me kërkesë të çdonjërit prej ortakëve.

Neni 56: Miratimi i llogarive të shoqërisë dhe e drejta për informim e ortakëve

Raporti i administrimit, inventaret dhe llogaritë vjetore të hartuara nga administratorët, i nënshtrohen miratimit të asamblesë së ortakëve brenda një afati prej 6 muajsh, duke filluar nga data e mbylljes së vitit financiar.

Dokumentet e përmendura në paragarfin r mësipërm, teksti i vendimeve të prropozuara, si dhe, në qoftë se është nevoja, raporti i ekspertëve kontabël të autorizuar, u komunikohen ortakëve dhe

vihen në dispozicion të tyre në selinë e shoqërisë të paktën 15 ditë përpara datës së mbledhjes së asamblesë. çdo vendim i marrë, duke shkelur rregullat e këtij paragarfi, konsiderohet i pavlefshëm.

Çdo ortak, me të marrë njoftimin e parashikuar në paragrafin e mësipërm, ka të drejtë të paraqesë pyejte me shkrim, të cilave administratori duhet t'u përgjigjet në mbledhjen e asamblesë.

Ortaku ka të drejtë të marrë në çdo moment dokumentet e caktuara në paragrafin e parë të këtij neni, për 3 vjetët e fundit financiarë. Ai mund të ndihmohet nga një ekspert i zgjedhur prej tij, i cili i nënshtrohet detyrimit për ruajtjen e sekretit profesional.

Çdo klauzolë që bie në kundërshtim me rregullat e këtij neni, konsiderohet e pavlefshme.

Neni 57: Konsultimet e ortakëve, thirrja e asamblesë

Vendimet merren nga asambleja. Ato mund të merren pas konsultimit me shkrim të ortakëve, në rast se të gjithë ortakët miratojnë me shkrim përmbajtjen e konsultimit.

Ortakët lajmërohen me letër rekomande të paktën 15 ditë përpara mbledhjes së asamblesë. Në këtë letër njoftohet rendi i ditës.

Lajmërimi bëhet nga administratori ose, në mungesë të tij, nga ekspertë kontabël i autorizuar, po qe se ka të tillë.

Një apo disa ortakë që përfaqësojnë të paktën 10 për qind të pjesëve të kapitalit themeltar, mund të kërkojnë mbledhjen e asamblesë. Çdo klauzolë e kundërt konsiderohet e pavlefshme.

Çdo ortak mund të kërkojë ligjërisht caktimin e një mandatmbajtësi të ngarkuar për thirrjen e asamblesë dhe caktimin e rendit të ditës.

Çdo mbledhje e asamblesë e thirrur në mënyrë të parregullt, mund të anulohet. Megjithatë anulimi nuk ka vlerë, në rast se të gjithë ortakët janë të pranishëm ose të përfaqësuar.

Neni 58: Pjesëmarrja në vendime

Çdo ortak ka të drejtë të marrë pjesë në vendime dhe disponon një numër votash të barabartë me pjesët e kapitalit themeltar që ai zotëron.

Një ortak mund të përfaqësohet nga një ortak tjetër.

Ai mund të përfaqësohet nga një person tjetër vetëm në rast se statuti e lejon këtë gjë.

Një ortak nuk mund të ngarkojë një mandatmbajtës të votojë në emër të një pjese të kapitalit të tij themeltar, duke votuar ai vetë në emër të pjesës tjetër të kapitalit të tij themeltar.

Çdo klauzolë e kundërt me përmbajtjen e këtij neni konsiderohet e pavlefshme.

Neni 59: Shumica e zakonshme

Në mbledhjet e asamblesë ose në konsultimet me shkrim vendimet merren nga një ose disa ortakë që përfaqësojnë më shumë se gjysmën e pjesëve të kapitalit themeltar.

Në rast se nuk sigurohet kjo shumicë, ortakët thirren ose sipas rastit, konsultohen për herë të dytë dhe vendimet merren me shumicën e votave të dhëna, pavarësisht nga përqindja e kapitalit që ato përfaqësojnë, në rast se në statut nuk përcaktohet ndryshe.

Neni 60: Ndryshimet e statutit

Ndryshimet e statutit vendosen nga ortakët që përfaqësojnë të paktën tre të katërtat e pjesëve të kapitalit themeltar me përjashtim të rasteve kur statuti mund të parashikojë një shumicë edhe më të lartë.

Në asnjë rast shumica nuk mund të detyrojë një ortak për të rritur angazhimin e tij në kapitalin themeltar të shoqërisë.

Neni 61: Ortaku i vetëm

Tre paragrafet e parë të nenit 56 dhe nenit 57 deri 60 të këtij ligji nuk zbatohen në shoqëritë që kanë vetëm njëm ortak.

Në këtë rast raporti i administrimit, inventari dhe llogaritë vjetore hartohen nga administratori. Ortaku i vetëm miraton llogaritë, nëse është e nevojshme pas raportit të ekspertëve kontabël të autorizuar, brenda 6 muajve nga mbyllja e vitit financiar.

Ortaku i vetëm mund t'i delegojë kompetencat e tij. Vendimet e tij, të marra në vend të asamblesë, evidencohen në një regjistër.

Vendimet e marra në kundërshtim me përmbajtjen e këtij neni mund të anulohen me kërkesë të çdo personi të interesuar.

Neni 62: Zmadhimi i kapitalit me anë të kontributeve në para

Zmadhimi i kapitalit me anë të nënshkrimeve të pjesëve të kapitalit themeltar për kontributet në para, bëhet sipas paragrafit të fundit të nenit 40 të këtij ligji.

Tërheqja e fondeve që vijnë nga nënshkrimet, mund të kryhet nga një mandatmbajtës i shoqërisë pasi të plotësohet çertefikata prej depozituesit.

Në rast se zmadhimi i kapitalit nuk kryhet brenda gjshtë muajve nga data e depozitimit të parë të fondeve, mund të zbatohen rregullat e paragrafit të dytë të nenit 41 të këtij ligji.

Neni 63: Zmadhimi i kapitalit me anë të kontributeve në natyrë

Zmadhimi i kapitalit plotësisht apo pjesërisht me anë të kontributeve në natyrë, bëhet sipas kërkesave të nenit 42, paragrafi i parë i këtij ligji. Megjithatë eksperti i autorizuar për kontributet emërohet me vendim të gjykatës sipas kërkesës së një administratori.

Në rast se nuk ka ekspertë për kontributet se kur vlera e caktuar e kontributeve është më e lartë se ajo e propozuar nga eksperti për kontributet, personat që kanë nënshkruar në zmadhimin e kapitalit, janë solidarisht përgjegjës për pesë vjet ndaj të tretëve për vlerën e caktuar të kontributeve të lartpërmendura.

Neni 64: Zvogëlimi i kapitalit

Zvogëlimi i kapitalit lejohet nga asambleja e ortakëve, e cila merr vendim në të njëjtat kushte që kërkohen për ndryshimin e statutit. Në të gjitha rastet zvogëlimi i prek ortakët në të njëjtën masë ndaj pjesëve të kapitalit që përfaqësojnë.

Projekti i zvogëlimit të kapitalit u komunikohet ekspertëve kontabël të autorizuar, në rast se ka të tillë, të paktën 45 ditë përpara datës së mbledhjes së asamblesë të thirrur për të marrë vendim rreth këtij projekti.

Ekspertët i bëjnë të ditur asamblesë vlerësimin e tyre për arsyet dhe kushtet e zvogëlimit.

Kur asambleja miraton një projetk për zvogëlimin e kapitalit që nuk motivohet nga humbjet, kreditorët, kredia e të cilëve është dhënë, përpara datës së publikimit të ndryshimit përkatës në statut, mund ta kundërshtojë zvogëlimin brenda një muaji nga kjo datë. Ky kundërshtim i njoftohet shoqërisë dhe i dërgohet gjykatës. Gjykata hedh poshtë ose pranon kundërshtimin dhe në rastin e fundit, ajo urdhëron kthimin e kredive ose dhënien e garancive, nëse shoqëria ka të tilla dhe në rast se ato gjykohen të mjaftueshme. Operacionet e zvogëlimit të kapitalit nuk mund të fillojnë gjatë periudhës së kundërshtimit.

Ndalohet blerja e pjesëve të kapitalit themeltar nga vetë shoqëria. Megjithatë, asambleja që vendos zvogëlimin e kapitalit që nuk motivohet nga humbjet, ka të drejtë të autorizojë administratorin për të blerë një numër të caktuar pjesësh, për t'i anuluar si pjesë të kapitalit themeltar.

Neni 65: Emërimi i ekspertëve kontabël të autorizuar

Ortakët mund të emërojnë një apo disa ekspertë kontabël të autorizuar sipas kushteve të përcaktuara në nenin 59 të këtij ligji.

Janë të detyruara të caktojnë një ekspert të tillë të paktën ato shoqëri që në mbyllje të vitit financiar tejkalojnë dy prej tre shifrave të mëposhtme:

- Bilanci në mbyllje të vitit përkatës 12 milionë lekë.

- Vlera e të ardhurave nga qarkullimi, pasi është zbritur tatimi mbi qarkullimin në mbyllje të vitit përkatës, 24 milionë lekë.

- Mesatarisht 50 të punësuar gjatë vitit financiar.

Edhe në rast se këto kushte nuk përmbushen, emërimi i një eksperti kontabël të autorizuar mund të kërkohet në rrugë gjyqësore nga një apo disa ortakë që përfaqësojnë të paktën 1/10 e kapitalit.

Neni 66: Pyetje mbi vazhdueshmërinë e veprimtarisë

Çdo ortak joadministrator ka të drejtë dy herë në vit t'i paraqesë me shkrim administratorit disa pyetje për ato probleme që venë në dyshim vazhdueshmërinë e veprimtarisë së shoqërrisë. Përgjigja e administratorit i komunikohet ekspertit kontabël të autorizuar.

Neni 67: Raporti i veçantë për veprimet e administrimit

Një apo disa ortakë që përfaqësojnë të paktën 1/10 e pjesëve të kapitalit themeltar, mundet, individualisjt ose të grupuar në çdo lloj forme, të kërkojnë në rrugë gjyqësore caktimin e një ose disa ekspertëve të ngarkuar për paraqitjen e një raporti për një apo disa veprime administrative.

Në rast se kërkesa konsiderohet e drejtë, vendimi i gjyqit përcakton fushën e misionit dhe kompetencat e ekspertëve. Ai mund të ngarkojë shoqërinë për të përballuar honoraret.

Raporti u dërgohet kërkuesit, ekspertëve kontabël të autorizuar dhe administratorit. Ky raport duhet t'i bashkëngjitet atij të hartuar nga ekspertët kontabël të autorizuar për t'u paraqitur në mbledhjen e ardhshme të asamblesë dhe t'i sigurohet i njëjti publicitet.

Neni 68: Modalitete e emërimit

Ekspertët kontabël të autorizuar emërohen nga ortakët për një periudhë prej 6 vitesh financiare.

Zgjedhja e lirë e një apo disa ekspertëve kontabël të autorizuar kufizohet nga papajtueshmëritë që përmenden në nenet 168 dhe 169 të këtij ligji.

Shqyrtimet e bëra pa caktuar ekspertë kontabël të autorizuar në rastet e detyruara me këtë ligj ose shqyrtimet e raporteve të ekspertëve kontabël të autorizuar, të cilët janë emëruar apo kanë mbetur në funksion në kundërshtim me rregullat e këtij neni, konsiderohen të pavlefshme. Pavlefshmëria bie në rast se këto shqyrtimejanë shprehimisht të konfirmuara nga asambleja në bazë të raportit të ekspertëve kontabël të autorizuar, të caktuar në mënyrë të rregullt.

Neni 69: Rregullat që kanë të bëjnë me ekspertët kontabël të autorizuar

Dispozitat që kanë të bëjnë me kompetencat, funksionet, detyrimet, përgjegjësinë, zëvendësueshmërinë, tërheqjen, shkarkimin dhe shpërblimin e ekspertëve kontabël të autorizuar të shoqërive anonime, janë të zbatueshme edhe për shoqëritë me përgjegjësu të kufizuar, duke pasur parasysh edhe rregullat e veçanta të këtyre të fundit.

Ekspertët kontabël të autorizuar lajmërohen njëkohësisht ose më përpara se ortakët, për mbajtjen e mbledhjeve të asamblesë ose konsultimeve. Ata lejohen të marrin pjesë në mbledhjet e asamblesë.

Dokumentet e përmendura në nenin 56, paragrafi i parë i këtij ligji vihen në dispozicion të ekspertëve kontabël të autorizuar në selinë e shoqërisë, të paktën 40 ditë përpara mbledhjes së asamblesë.

Neni 70: Reklamimi i ddividenteve

Dividentet që nuk korrespondojnë me fitimet e realizuara realisht, mund t'u reklamohen ortakëve që i kanë marrë ato. Afati i parashkrimit të padisë për reklamim bëhet për 3 vjet, duke filluar nga data e shpërndarjes së dividenteve.

Neni 71: Falimentimi, paaftësia ose vdekja e një ortaku

Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar nuk prishet kur falimenton ose shfaq paaftësi një prej ortakëve.

Ajo gjithashtu nuk prishet kur vdes një ortak, në rast se nuk përcaktohet ndryshe në statut.

Neni 72: Humbja e gjysmës së kapitalit themeltar

Në rast se kapitalet e veta të shoqërisë, për shkak të humbjeve të konstatuara në dokumentet financiare, rezultojnë më të vogla se gjysma e kapitalit themeltar, ortakët vendosin, brenda 4 muajve nga miratimi i llogarive që pasqyrojnë këtë humbje, mbi mundësinë e prishjes së parakohshme të shoqërisë.

Në rast se prishja nuk shpallet nga shumica e nevojshme për ndryshimet e statutit, shoqëria detyrohet të zvogëlojë kapitalin e saj me një vlerë jo më të vogël se ajo e humbjeve që kanë mbetur të pambuluara nga rezervat, duke pasur parasysh edhe rregullat e nenit 38 të këtij ligji. Ky operacion duhet të kryhet jo më vonë se data e mbylljes së vitit të parë financiar, para të cilit është konstatuar humbja, në qoftë se brenda këtij afati kapitalet e veta të shoqërisë nuk janë plotësuar deri në një vlerë jo më të vogël së gjysma e kapitalit themeltar.

Në të dy rastet rezoluta e ortakëve botohet në një gazetë të autorizuar për publikimin e njoftimeve ligjore. Ajo gjithashtu regjistrohet në regjistrin tregtar.

Në mungesë të iniciativës për marrjen e një vendimi nga ana e administratorit ose ekspertit kontabël të autorizuar apo në rast se ortakët nuk kanë mundur të merrnin një vendim të vlefshëm, çdo person i interesuar mund të kërkojë në rrugë gjyqësore prishjen e shoqërisë.

Prishja e shoqërisë mund të kërkohet edhe në rast se dispozitat e paragafit të dytë të këtij neni nuk janë përmbushur. Gjykata mund t'i akordojë shoqërisë një afat maksimal prej 6 muajsh për të rregulluar gjendjen. Ajo nuk mund të shpallë prishjen, në rast se ky rregullim është bërë ditën në të cilën ajo mblidhet për të marrë vendim.

Neni 73: Shndërrimi i shoqërisë

Shndërrimi i një shoqërie me përgjegjësi të kufizuar në shoqëri kolektive ose komandite bëhet me miratimin unanim të ortakëve.

Shndërrimi i një shoqërie anonime bëhet me shumiën e votave të nevojshme për ndryshimin e statutit, vetëm pasi shoqëria me përgjegjësi të kufizuar të ketë hartuar dhe të ketë aprovuar nga ortakët bilancin e dy viteve të fundit të aktivitetit të saj.

Vendimi merret pasi të paraqitet raporti mbi gjendjen e shoqërisë nga ana e një eksperti për shndërrimin; kur nuk ka të tillë, caktohet një ekspert posaçërisht për këtë çështje.

Çdo shndërrim i bërë në kundërshtim me rregullat e këtij neni është i pavlefshëm.

 

<|Kreu V: SHOQERITE ANONIME (Sh.A)  

 

© ALBIC 2004

webmaster

Hyrje  :  Info Shqiperia  :  Info Biznesi  :  Qender Burimore  :  Mundesi biznesi