KREU III

VEPRA PENALE KUNDER PASURISE DHE NE SFEREN EKONOMIKE

  SEKSIONI IV
VEPRA PENALE TE KRYERA NE SHOQERITE TREGTARE

Neni 163
Përpilimi i deklaratave të rreme

Përpilimi i deklaratave të rreme, në rastin e zmadhimit të kapitalit të shoqërisë, lidhur me ndarjen e pjesëve të kapitalit themeltar të ortakëve, me shlyerjen e tij apo me depozitimin e fondeve, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.

Neni 164
Shpërdorimi i kompetencave

Shpërdorimi i kompetencave nga anëtarët e këshillit mbikqyrës apo administratorët e shoqërisë me qëllim përfitimi apo për të favorizuar një shoqëri tjetër ku kanë interesa, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 165
Falsifikimi i nënshkrimeve

Falsifikimi i nënshkrimeve dhe derdhjeve, apo deklarimi i rremë i derdhjeve të fondeve të shoqërisë, apo publikimi i nënshkrimeve dhe derdhjeve për persona fiktivë, apo vlerësimi i kontributit në natyrë me vlerë më të madhe se sa vlera faktike, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 166
Emetimi i parregullt i aksioneve

Emetimi i parregullt i aksioneve bërë përpara regjistrimit të shoqërisë apo kur regjistrimi është bërë në mënyrë të kundërligjshme, apo kur formalitetet e shoqërisë ende nuk janë plotësuar, apo kur ndryshimi i statutit me rastin e zmadhimit të kapitalit ende nuk është bërë ose nuk është regjistruar apo është bërë në mënyrë të kundërligjshme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.

Neni 167
Mbajtja e padrejtë e dy cilësive

Mbajtja njëkohësisht e cilësive të ortakut dhe ekspertit kontabël përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

Neni 168
Dhënia e informacioneve të rreme

Dhënia e informacioneve të rreme për gjendjen e shoqërisë prej ekspertit kontabël pranë një shoqërie tregtare, apo moskallzimi në organet kompetente për kryerjen e një krimi, kur nuk ekzistojnë rastet e përjashtimeve nga përgjegjësia penale të përcaktuara në nenin 300 të këtij Kodi, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 169
Zbulimi i sekreteve të shoqërisë

Zbulimi i sekreteve të shoqërisë prej ekspertit kontabël të saj, me përjashtim të rasteve kur e detyron ligji, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 170
Mosbërja e shënimeve të detyrueshme

Mosbërja e shënimeve të detyrueshme nga administratori apo likuiduesi i shoqërisë përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.