|
L I G J nr. 7594 PER INVESTIMET E HUAJA Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, dt. 29.4.1991 "Për dispozitat kryesore kushtetuese", me propozimin e Këshillit të Ministrave, KUVENDI POPULLOR I REPUBLIKES SE SHQIPERISE V E N D O S I :
KREU I DISPOZITA TE PERGJITHSHME
Neni 1 Në këtë ligj, me përjashtim të rasteve kur në të përcaktohet ndryshe: - "Shqipëria" nënkupton Republikën e Shqipërisë. - "Territor" nënkupton territorin që Shqipëria ka në sovranitet, përfshirë ujrat territoriale si dhe zonën detare në shelfin kontinental, mbi të cilat Shqipëria në përputhje me normat ndërkombëtare, ushtron të drejtat sovrane e ligjore". - "Autorizim" nënkupton autorizimin për investimet e huaja i lëshuar sipas këtij ligji. - "Investitor i huaj" nënkupton: a) çdo person fizik, i cili është shtetas i një vendi të huaj; b) çdo person juridik të huaj, i cili ose është themeluar sipas një ligji tjetër nga ai i Shqipërisë ose ka seli jashtë Shqipërisë. c) çdo shtetas shqiptar me banim të përhershëm jashtë Shqipërisë. - "Investim i huaj" përfshin çdo lloj pasurie dhe në veçanti çdo lloj investimi në: a) pasuri të luajtshme e të paluajtshme, si dhe çdo lloj të drejte tjetër pasurore; b) të drejta që rrjedhin nga pjesëmarrja me aksione, me letra të tjera me vlerë ose me lloje të tjera interesash në shoqëritë; c) huatë, detyrimet në të holla dhe çdo lloj veprimtarie tjetër që ka vlerë ekonomike; ç) të drejta në fushën e pronësisë intelektuale, proceseve teknike e know-how; d) të drejta ekonomike të fituara me ligj, duke përfshirë të drejtat për të kërkuar, zbuluar e shfrytëzuar burimet natyrore. "Ministër" nënkupton ministrin e Tregtisë dhe të Bashkëpunimit Ekonomik me Jashtë. "Ministri" nënkupton Ministrinë e Tregtisë dhe të Bashkëpunimit Ekonomik me Jashtë. "Banka" nënkupton Bankën e Shqipërisë.
KREU II INVESTIMET E HUAJA
Neni 2 Investimet e huaja mund të kryhen në të gjithë sektorët e ekonomisë, me kusht që të mos cenojnë: a) sigurimin kombëtar dhe interesat e mbrojtjes së Shqipërisë; b) rregullat në fuqi për mbrojtjen e mjedisit; c) rendin juridik e publik, shëndetin dhe normat e moralit.
KREU III AUTORIZIM PER INVESTIMET E HUAJA
Neni 3 Investimet e huaja në Shqipëri kryhen mbi bazën e një autorizimitë lëshuar nga: a) Këshilli i Ministrave, për investimet e huaja në degët me rëndësi të veçantë për ekonominë e vendit e që kanë një vlerë mbi një vlerë minimale. Degët me rëndësi të veçantë për ekonominë e vendit dhe vlerat përkatëse minimale përcaktohen nga Këshilli i Ministrave. b) Ministria e Tregëtisë dhe e Bashkëpunimit Ekonomik me Jashtë, për të gjitha rastet e tjera, me përjashtim të investimeve me vlerë nën një vlerë minimale prej 50 mijë USD në monedhë a në natyrë, ose ekuivalentin e saj në monedha të tjera të konvertueshme, llogaritur me kursin mesatar të këmbimit të njoftuar nga Banka në momentin e paraqitjes së kërkesës. Për investimet e huaja me vlerë nën 50 mijë USD, autorizimi lëshohet nga organet e pushtetit lokal. Për investimet e huaja në ndërmarrjet shtetërore shqiptare, pavarësisht nga vlera e tyre, ndërmarrja shtetërore shqiptare duhet të marrë miratim nga ministria përkatëse.
Neni 4 Të gjitha kërkesat e investitorëve të huaj për autorizim, me përjashtim të atyre që janë me kompetencë të organeve të pushtetit lokal si dhe të atyre që kanë të bëjnë me investime të huaja në sektorin bankar, paraqiten në Ministri. Kërkesa për autorizim duhet të përmbajë: a) Identitetin e investitorit të huaj, ortakëve ose, në rastin e një shoqërie me aksione, identitetet e themeluesve. b) Dokumente që vërtetojnë emrin, selinë dhe vendin e regjistrimit të shoqërive. c) Të dhëna për veprimtarinë e investitorit të huaj. ç) Dokumente që provojnë se, investitori i huaj është në gjendje të sigurojë burimet financiaretë nevojshme për investimin, të cilat duhet të jenë të ligjshme. d) Studimi paraprak tekniko-ekonomik për investimin, duke përfshirë edhe vlerën e fondeve të nevojshme e natyrën e tyre. dh) Të dhëna të tjera që do të gjykohen të nevojshme nga ministria.
Neni 5 Ministria duhet të bashkëpunojë dhe të kërkojë pëlqim nga ministritë e tjera përkatëse, si dhe të dhëna e informacion nga bankat dhe organet qendrore e lokale të administratës shtetërore në fushën ku do të kryhet investimi i huaj. Ministritë e tjera, bankat dhe organet e tjera qendrore e lokale të administratës shtetërore janë të detyruara t'i kthejnë përgjigje Ministrisë brenda 20 ditëve nga dita e depozitimit të kërkesës së Ministrisë. Për rastet kur lëshimi i autorizimit është kompetencë e Këshillit të Ministrave, Ministria, brenda 30 ditëve nga depozitimi i kërkesës, paraqet materialet për shqyrtim në Këshillin e Ministrave së bashku me mendimin e saj.
Neni 6
Këshilli i Ministrave lëshon ose refuzon autorizimin brenda një periudhe prej 60 ditësh nga data e depozitimit të kërkesës në Ministri. Ministria lëshon ose refuzon autorizimin brenda 45 ditëve nga data e depozitimit të kërkesës në Ministri. Organet e pushtetit lokal lëshojnë ose refuzojnë autorizim brenda 30 ditëve nga data e depozitimit të kërkesës.
Neni 7
Personat juridikë shqipta, te të cilët shumica e kapitalit themeltar kontrollohet nga investitori i huaj, vetëm për efekt të neneve 3, 4, 5 e 6 do të konsiderohen persona juridikë të huaj.
KREU IV
GARANCITE PER INVESTIMET E HUAJA Neni 8
Investitori i huaj gëzon të njëjtat të drejta e detyrime si dhe investitori shqiptar, me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj.
Neni 9
Investimet e huaja në Shqipëri gëzojnë mbrojtje e sigurim të plotë. Investimet e huaja nuk mund të shtetëzohen, shpronësohen ose që jenë objekt i ndonjë mase tjetër të barasvlefshme me to, me përjashtim të rasteve të veçanta në interes të përdorimit publik dhe gjithmonë me një procedurë ligjore, me kompensim dhe pa diskriminim. Kompensimi do të jetë i menjëhershëm, i përshtatshëm dhe i realizueshëm.
Neni 10
Kompensimi në kuptimin e nenit 9 do të llogaritet në përputhje me vlerën e tregut të investimit në momentin para marrjes së masave të parashikuara në nenin 9 ose bërjen e tyre të njohur, duke pasur parasysh ce cila prej tyre është më e hershme. Në rastet kur vlera e tregut do të jetë vështirë të përcaktohet, kompensimi do të llogaritet me parimet e barazisë, duke marrë në konsideratë, ndonse jo vetëm ato, edhe vlerën e kapitalit të investuar, të ardhurat korente, amortizimin dhe kapitalin e riatdhesuar. Kompensimi paguhet pa vonesë dhe përfshin edhe interesat bankare të llogarituara nga data e shtetëzimit, shpronësimit apo masa të tjera të barazvlefshme me të. Ai është lirisht i transferueshëm dhe i konvertueshëm me kursin mesatar të këmbimit të njoftuar nga Banka në datën e shtetëzimit, të shpronësimit apo masave të tjera të barazvlefshme me to. Nëse një vlerësim i tillë i kompensimit nuk do të jetë i kënaqshëm për investitorin e huaj, atëhere ai mund të vendoset nga një arbitrazh ndërkombëtar, në përputhje me rregullat e caktuara në nenin 15 të këtij ligji.
Neni 11
Investitorët e huaj, investimet e të cilëve pësojnë humbje në territorin e Shqipërisë për shkak të luftës, konflikteve të armatosura, gjendjes së jashtëzakonshme dhe situatave të tjera të ngjashme me to, u jepet një trajtim jo më pak i favorshëm se ai që Shqipëria u jep investitorëve të saj.
Neni 12
Investitori i huaj gëzon të drejtën të transferojë jashtë shtetit: a) të ardhurat që rezultojnë nga shitja ose likuidimi i pjesshëm a tërësor i investimit të tij, një person fizik ose juridik shqiptar apo të huaj. b) të ardhurat që rezultojnë nga zvogëlimi i kapitalit, kur shoqëria ka zvogëluar kapitalin e saj në përputhje me legjislacionin shqiptar. c) fitimin dhe dividentet e llogaritur në përputhje me legjislacionin shqiptar. ç) pagesat për licencat ose për personat me banim jashtë Shqipërisë në lidhje me të drejta të pronësisë intelektuale të shfrytëzuara për investimin e huaj, kur këto pagesa bëhen mbi bazën e një marrëveshjeje. d) Pagesat e nevojshme për mbajtjen dhe zhvillimin e investimit të huaj. dh) Të ardhurat personale të shtetasve të huaj të punësuar nga investitori i huaj. E drejta e transferimit në kuptimin e këtij neni realizohet me kushte që: - të jetë kryer çdo pagesë e lidhur me taksat përkatëse; - të jenë marrë në konsideratë të drejtat e kreditorëve; - procedurat të jenë kryer në përputhje me legjislacionin shqiptar. Plotësimi i kushteve të mësipërme vërtetohet nga Banka . Në rastin kur kapitali i investitorit të huaj është pjesë e kapitalit themeltar të investuar, atëhere shkronjat "a", "b" dhe "c" të këtij neni zbatohen vetëm për pjesën e kapitalit të inve- stitorit të huaj, pjesën e tij të fitimit ose pjesën e tij që re- zulton nga shitja apo likuidimi i shoqërisë. E drejta që i jep ky nen investitorit të huaj nuk i njihet investitorit shqiptar.
Neni 13
Nëse Banka është e mendimit që sasia e monedhës së huaj e përdorur sipas shkronjave "a" dhe "b" të nenit 12 të këtij ligji, do të ketë një ndikim të rëndësishëm përkeqësues të detyrimeve të Shqipërisë për pagesat me jashtë, atëhere transferimi i monedhës së huaj do të bëhet me intervale të tilla e në sasi të tilla që do t'i përcaktojë Banka .
Neni 14
Investitori i huaj ka të drejtë të marrë në punë si personel teknik të kualifikuar edhe shtetas të huaj, në përputhje me legjislacionin shqiptar të punës.
KREU V
ZGJIDHJA E MOSMARREVESHJEVE
Neni 15
Mosmarrëveshjet ndërmjet investitorit të huaj të pajisur me autorizim sipas këtij ligji dhe Këshillit të Ministrave, Ministrisë ose organeve të pushtetit lokal lidhur me : a) Çdo çështje që ka të bëjë me diskriminimin ose me çështje të tjera të lidhura me kompensimin për shkaqe të parashikuara në nenin 9 dhe 10 të këtij ligji; b) vlefshmërinë ose vazhdimin e vlefshmërisë së autorizimit do t'i paraqiten për zgjidhje një arbitrazhi ndërkombëtar në përputhje me rregullat e arbitrazhit të Komisionit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtën Ndërkombëtare në Tregëti, që janë në fuqi në kohën e lëshimit të autorizimit, me përjashtim të rasteve kur ndërmjet lëshuesit të autorizimit dhe investitorit të huaj që i lëshohet autorizimi, është rënë dakord ndryshe dhe kjo është shënuar me autorizim. Çdo vendim i këtij arbitrazhi do të jetë i formës së prerë dhe i detyrueshëm për palët.
Neni 16
Çdo mosmarrëveshje tjetër ndërmjet investitorit të huaj të pajisur me autorizim sipas këtij ligji nga Këshilli i Ministrave, Ministrisë ose organeve të pushtetit lokal, e ndryshme nga ato të parashikuara në nenin 15 të këtij ligji, nuk i referohet një arb- itrazhi ndërkombëtar, por zgjidhet nga një gjykatë kompetente në Shqipëri në përputhje me procedurat e parashikuara nga legjislacioni shqiptar.
Neni 17
Lëshuesi i autorizimit nuk mundet që, pa pëlqimin ose kërkesën e investitorit të huaj të pajisur me autorizim sipas këtij ligji, të ndryshojë autorizimin ose t'ia transferojë autorizimin një investitori tjetër të huaj.
Neni 18
Lëshuesi i autorizimit mund të verë një gjobë deri në vleftën e 5000 USD ose ta anulojë autorizimin, kur: a) investitori i huaj i pajisur me autorizim sipas këtij ligji paraqet dëshmi materiale, të cilat i di se janë të rreme, ose nuk beson se janë të vërteta, apo ka dhënë informacion të rremë lidhur me kërkesë për autorizim; b) investitori i huaj kryn ndonjë veprim, për të cilin është i nevojshëm autorizimi, pa pasur autorizim; Lëshuesi i autorizimit, 30 ditë para marrjes së vendimit për anulimin e autorizimit, vë në dijeni investitorin e huaj, në mënyrë që t'i japë mundësi atij t'i grumbullojë e t'i paraqesë dokumentet e nevojshme për të përligjur veprimet ose mosveprimet e tij.
KREU VI
DISPOZITA E FUNDIT
Neni 19
Shqipëria do t'i bëjë të njohura publikisht të gjitha ligjet, rregullat dhe procedurat që kanë të bëjnë ose ndikojnë në investimet e huaja.
Neni 20
Dekreti nr.7406, dt. 31.7.1990 "Për mbrojtjen e investimeve të huaja në Republikën e Shqipërisë", kreu i dytë i dekretit nr.7407, datë 31.7.1990 "Për veprimtarinë ekonomike të ndërmarrjeve me pjesëmarrjen e kapitalit të huaj në RPSSH" dhe çdo dispozitë ligjore që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.
Neni 21
Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji.
Neni 22
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas shpalljes së tij në Fletoren Zyrtare.
Tiranë, më 4.8.1992 Kryetari i Kryesisë Nr.i ligjit: 7594 Pjetër Arbnori
|