| |||||||||||||||||||||||||||||||||||
|
|
Guidë nga ALBIC
Sistemi Tatimor ne Shqiperi - Hyrje (2004)
© ALBIC / IDRA
E Përgjithshme
Legjislacioni tatimor përbëhet nga ligjet për tatimet dhe taksat kombëtare dhe ato vendore. Ligji Nr. 8560, datë 22.12.1999 “Për proçedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, përcakton rregullat e përgjithshme të: regjistrimit të tatimpaguesve; vlerësimit të detyrimeve tatimore; mbledhjes së tatimeve me proçedura të zakonshme dhe të jashtëzakonshme; shkeljeve dhe dënimeve me karakter të përgjithshëm; kontrollit të tatimpaguesve; detyrimit të tatimpaguesve dhe palëve të treta për të dhënë informacion. Ligjet e tjera tatimore janë ligje specifike që përshkruajnë lloje të veçanta të tatimeve apo taksave me karakter kombëtar apo vendor. Ligji Nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar i cili mbulon tatimet mbi të ardhurat e individëve, kompanive dhe personave fizikë tregtarë. Ligji Nr. 7928, datë 27.4.1995 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” i ndryshuar Ligji Nr. 8976, datë 12.12.2002 “Për akcizat” i ndryshuar. Ligji Nr. 8977, datë 12.12.2002 “Për sistemin e taksave në Republikën e Shqipërisë” Ligji Nr 8978, datë 12.12.2002 “Për taksën vendore mbi biznesin e vogël” Ligji Nr.8982, datë 12.12.2002 “Për tarifat dhe taksat vendore” . Ligji Nr.8701, datë 1.12.2000 “Për lojrat e fatit, kazinotë dhe hipodromet”.
1.2. Përkufizime Sipas legjislacionit shqiptar: Tatimi është një pagesë në buxhetin e shtetit me natyrë të detyrueshme dhe të pakthyeshme, i cili përfshin edhe dënimet administrative si dhe interesat për pagesa të vonuara të përcaktuara në ligj. Taksa është një kontribut i detyrueshëm për tu paguar nga çdo person i cili drejtpërdrejt përfiton një shërbim publik.
1.3. Përmbledhje Tatimet dhe taksat në Republikën e Shqipërisë jepen në mënyrë të detajuar në tabelën e mëposhtme:
Ligji Nr.8982, datë 12.12.2002 “Për sistemin e taksave vendore” parashikon të drejtën e pushtetit vendor që krahas taksave vendore, të vendosë edhe tarifa për shërbime të ndryshme të cilat paguhen nga komuniteti i njësisë vendore në favor të bashkisë, komunës apo qarkut.
1.4. Proçedura të Përgjithshme të Administrimit të Tatimeve 1.4.1. Proçedurat e vendosjes, ndryshimit dhe heqjes së tatimeve Vendosja, ndryshimi apo heqja e një tatimi apo takse kombëtare e vendore bëhet me ligj. Vendosja, ndryshimi apo heqja e një takse vendore bëhet me vendim të pushtetit vendor për aq sa legjislacioni tatimor ua lejon atyre këtë. 1.4.2. Përfaqësuesi i tatimpaguesit Përfaqësuesi i tatimpaguesit është një person që një tatimpagues zgjedh për ta përfaqësuar në lidhje me çështjet tatimore. Zgjedhja bëhet sipas dispozitave të Kodit Civil. Përfaqësuesit e tatimpaguesit, të zgjedhur në mënyrë të rregullt, marrin përsipër të gjitha të drejtat dhe detyrimet e tatimpaguesit, me përjashtim të rasteve kur me ligj parashikohet ndryshe. Tatimpaguesit që jetojnë jashtë Republikës së Shqipërisë duhet të caktojnë një përfaqësues tatimor në Shqipëri. Fakti, që një përfaqësues bën një gabim në deklarimin dhe pagesën e tatimeve, nuk e shkarkon tatimpaguesin nga përgjegjësia për gabimin. 1.4.3. Agjentët tatimorë Agjenti tatimor është një person, jo i punësuar në organet tatimore, i cili sipas këtij ligji apo çdo ligji tjetër të sistemit tatimor është përgjegjës për llogaritjen, mbajtjen në burim për një tatimpagues dhe kalimin e tatimeve dhe taksave në buxhet. Në përputhje me të drejtat dhe detyrimet e tij, agjenti tatimor ka të njëjtin status me tatimpaguesin, nëqoftëse me ligj nuk përcaktohet ndryshe. Agjenti tatimor është i detyruar : Të llogarisë, të mbajë në burim për tatimpaguesin dhe të transferojë në buxhet, në mënyrë korrekte dhe në kohën e duhur shumat e tatimeve e taksave; të mbajë regjistrime për të ardhurat e paguara tatimpaguesve dhe për tatimet e mbajtura dhe të transferuara në buxhet, duke përfshirë mbajtjen e regjistrimeve të veçanta për çdo tatimpagues; t'u japë organeve tatimore dokumentacionin e kërkuar për kontrollin e saktësisë së llogaritjeve, të mbajtjes në burim dhe të pagimit të tatimeve e taksave; të përmbushë të gjitha detyrimet e tjera të përcaktuara nga ligjet tatimore. për mospërmbushje apo përmbushje me mangësi të detyrimeve të tyre të përcaktuara në ligjet tatimore, agjentët tatimore mbajnë përgjegjësi në përputhje me proçedurat e vendosura nga ky ligj dhe aktet e tjera ligjore. 1.4.4. Përgjegjësia tatimore (obligimi për pagimin e tatimeve) Përgjegjësia tatimore e një personi fillon kur personi është i përfshirë në veprimtari ose fiton pasuri të cilat kanë elementë të tatueshëm sipas dispozitave të legjislacionit tatimor. Përgjegjësia tatimore mbaron kur një person nuk është i përfshirë më në veprimtari ose nuk zotëron më pasuri të cilat kanë elementë të tatueshëm dhe i ka paguar të gjitha tatimet, taksat, gjobat dhe interesat për të cilat detyrohet.
1.4.5. Vlerësimi tatimor Vlerësimi tatimor është llogaritja që i bën administrata tatimore shumës së detyrimit tatimor si dhe dënimeve administrative e interesave për pagesë të vonuar që detyrohet të paguajë një tatimpagues. Vlerësimi tatimor është detyrim ndaj shtetit, i pagueshëm në buxhet i cili i njoftohet tatimpaguesit me shkrim në mënyrë të drejtëpërdrejtë ose me shërbim postar. Vlerësimi tatimor për çdo detyrim të tatimpaguesve sipas ligjeve tatimore në fuqi bëhet mbi bazën e informacioneve të mëposhtme: informacionet që përmbajnë deklaratat tatimore të tatimpaguesve; dhe, materialet e kontrollit dhe çdo informacion tjetër i njohur nga administrata tatimore. 1.4.6. Parashkrimi i së drejtës për përcaktimin e detyrimit tatimor E drejta e organeve tatimore për të kontrolluar dhe për të korrigjuar vlerësimin e një detyrimi tatimor, parashkruhet 5 vjet pas lindjes së detyrimit (koha që tatimi duhej të ishte deklaruar ose paguar, cilido qoftë çasti më i fundit në kohë). 1.4.7. Metoda alternative të përcaktimit të detyrimit tatimor Organet tatimore mund të rikarakterizojnë transanksionet për të reflektuar situatën ekonomike reale dhe ato mund të mos marrin parasysh formën e transaksionit për të përcaktuar me saktësi përmbjatjen e tij. Rikarakterizimi i transaksioneve bëhet: Kur tatimpaguesi, për një periudhë të caktuar tatimore, nuk ka deklaruar detyrimet e tij tatimore, siç përcaktohet në ligjet e veçanta tatimore. Kur gjatë kontrollit të kryer nga organet tatimore nuk gjendet dokumentacioni i duhur për përcaktimin e detyrimit tatimor, ose kur ky dokumentacion ka mangësi serioze, të cilat nuk lejojnë paraqitjen e situatës reale të tatimpaguesve dhe llogaritjen e detyrimeve të tyre tatimore. Kur tatimpaguesit deformojnë çmimet e shitjes. Kur tatimpaguesi kryen me lekë në dorë transanksione shitblerjeje që kalojnë shumën 500 mijë lekë për vitin 2004 dhe 300 mijë lekë për vitet në vijim. 1.4.8. Interesat për pagesë të vonuar Nëse detyrimet tatimore nuk janë paguar në kohën e duhur, siç përcaktohet në ligjet e veçanta tatimore, tatimpaguesit janë të detyruar të paguajnë interesa mbi shumën e tatimit të papaguar nga data në të cilën pagesa ka qenë e detyrueshme deri në datën në të cilën pagesa kryhet. Interesi për mospagim në kohë të detyrimit tatimor është 2 për qind për muajin e parë të vonesës dhe 1,3 për qind për çdo muaj tjetër. Interesi minimal i zbatuar nuk mund të jetë më i vogël se 5 për qind. Interesat zbatohen automatikisht dhe nuk hiqen nga asnjë autoritet. 1.4.9. Proçedurat e zakonshme të mbledhjes me forcë të detyrimeve Nëse një tatimpagues nuk ka paguar çfarëdo shume të detyrimit tatimor, administrata tatimore, nëpërmjet një urdhëri me shkrim i kërkon çdo banke që mban llogari të tatimpaguesit, t'i mbajë këtij të fundit detyrimin. 1.4.10. Proçedurat e jashtëzakonshme të mbledhjes me forcë të detyrimeve Për tatimpaguesit, të cilët nuk paguajnë detyrimet e tyre tatimore edhe pas marrjes së masave të zakonshme të nxjerrjes së detyrimeve tatimore, organet tatimore fillojnë marrjen e masave të jashtëzakonshme, si më poshtë: Mbylljen e veprimtarisë ekonomike të tatimpaguesit derisa ky i fundit të ketë shlyer detyrimin e papaguar, por pa kaluar më shumë se 30 ditë kalendarike nga çasti i mbylljes. Sekuestrimi i pasurisë, në rastet kur tatimpaguesi vazhdon të mos paguajë detyrimin tatimor edhe pse kanë kaluar më shumë se 30 ditë nga çasti i mbylljes së veprimtarisë. Sekuestrimi i pasurisë ndjek këtë radhë: pasuritë e luajtshme; pasuritë e paluajtshme. Nëse dispozitat e mësipërme nuk mjaftojnë për mbledhjen e detyrimeve tatimore, kryetari i degës së tatimeve merr masat e mëposhtme: bën denoncim në organet e prokurorisë, në mbështetje të nenit 181 të Kodit Penal; kërkon nga organet përkatëse të bllokojnë transferimin e pasurive të tatimpaguesit; në të gjitha rastet organi tatimor mund të kërkojë fillimin e proçedurave të falimentimit si kreditor i interesuar, në mbështetje të ligjit nr.8901, datë 23.5.2002 "Për falimentimin". 1.4.11. Parashkrimi i detyrimeve të papaguara Afati i parashkrimit të një detyrimi tatimor të papaguar është 6 vjet nga data kur vlerësimi tatimor i është njoftuar zyrtarisht tatimpaguesit. 1.4.12. Proçedurat e apelimit Tatimpaguesit kanë të drejtë të apelojnë me shkrim çdo akt zyrtar të organit tatimor që prek tatimpaguesin në lidhje me shumën dhe mënyrën me anë të së cilës janë përcaktuar detyrimet tatimore, me bazën ligjore të përcaktimit, me kërkesat për rimbursim, me vendimet e veçanta ekzekutive apo çdo veprim (apo mosveprim) të parregullt të organeve tatimore apo të punonjësve të tyre. Hierarkia e apelimit tatimor nga më e ulëta tek më e larta është si më poshtë: Organet e qeverisjes vendore për tatimet dhe taksat vendore dhe degët e tatimeve në rrethe për tatimet dhe taksat kombëtare me përjashtim të TVSH-së. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për tatimin mbi vlerën e shtuar. Komisioni i Apelimit të Tatimeve për çdo lloj tatimi dhe takse kombëtare e vendore me përjashtim të TVSH-së. Sistemi gjyqësor për çdo lloj tatimi e takse e kombëtare vendore. Një çështje nuk mund të shqyrtohet në një nivel më të lartë apelimi pa u shqyrtuar në nivelin më të ulët. 1.4.13. E drejta për informim e tatimpaguesve Kur ndaj një tatimpaguesi hapet një çështje gjyqësore, ai ka të drejtë të shqyrtojë dokumentacionin përkatës, përveç rasteve kur është e rëndësishme ruajtja e sekretit të interesave publike apo private, siç është rasti i sekretit të biznesit të një të treti si dhe rasti i sekretit të identitetit të informatorëve. Mospranimi i kërkesës për ekzaminim kërkon një vendim të veçantë ekzekutiv nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve. © ALBIC / IDRA.
|
|
© ALBIC 2004 |
|
||||||||