RAPORTI I BANKES SE SHQIPERISE
2003

Nga:
Shkelqim Cani
Guvernator

Duke përfituar nga privilegji i prezantimit të Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2003, dëshiroj të theksoj se viti që lamë pas, përgjithësisht shënoi zhvillime pozitive në drejtim të konsolidimit të stabilitetit makroekonomik të vendit, të rritjes ekonomike si dhe të zhvillimit dhe të shëndoshjes së sistemit financiar të vendit. Ky vit u karakterizua nga një rritje e mëtejshme cilësore e punës të Bankës së Shqipërisë, duke dhënë një kontribut pozitiv më të pasur në ekonominë shqiptare. Tashmë gjykoj se ekonomia shqiptare ka hyrë në një proces të pakthyeshëm reformash, që do ta afrojnë atë me modelet e përparuara të ekonomive që aspirojnë të anëtarësohen në BE.

Ekonomia shqiptare gjatë vitit 2003 i është kthyer ritmeve të kënaqshme të rritjes ekonomike. Vlerësimet paraprake tregojnë se PBB-ja, në terma realë është rritur me 6 për qind gjatë vitit 2003 . Kjo rritje konstatohet se ka një bazë të gjerë, pasi është mbështetur nga rritja e aktivitetit ekonomik në të gjithë sektorët e ekonomisë. Në veçanti, spikatin sektori i ndërtimit, shërbimeve dhe transportit si sektorët më dinamikë të ekonomisë shqiptare. Aktiviteti ekonomik gjatë vitit 2003 është ndikuar pozitivisht edhe nga rritja e ekonomisë botërore, e cila shënoi një rritje të moderuar duke lënë pas pasiguritë e vitit 2002. Rritja ekonomike ka gjetur një mbështetje në rritje nga sistemi bankar. Teprica e kredisë u rrit me 11.9 miliardë lekë, ndërsa kredia e re e lëvruar gjatë vitit 2003 ishte 92.6 miliardë lekë ose 48 për qind më shumë se në vitin 2002.

Viti 2003 u karakterizua nga një shpërndarje më racionale e shpenzimeve fiskale. Kërkesa e qeverisë për hua ka qenë më e njëtrajtshme gjatë vitit 2003, duke shmangur përqendrimin e financimit të deficitit në muajin dhjetor. Deficiti vjetor në total ishte 19 për qind më i ulët në krahasim me një vit më parë, duke arritur në nivelin 4.4 për qind të PBB-së.

Viti 2003 është karakterizuar nga një aktivitet intensiv në sektorin e jashtëm të vendit, i shprehur në rritjen e konsiderueshme të të ardhurave dhe të shpenzimeve korente. Deficiti i llogarisë korente vlerësohet të jetë ulur me 2 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë duke arritur në 6.7 për qind të PBB-së. Pozicioni i përgjithshëm i bilancit të pagesave është pozitiv duke bërë që rezervat valutore të vendit të rriten vazhdimisht. Për herë të parë, në muajin dhjetor, niveli i përgjithshëm i tyre kaloi shifrën 1 miliard dollarë amerikanë.

Rritja ekonomike ka ndikuar edhe treguesit e punësimit, megjithëse ky ndikim shfaqet disi i zbehtë për arsye të problemeve kronike të tranzicionit shqiptar: emigrimit dhe informalitetit të tregut të punës dhe ekonomisë në përgjithësi. Në fund të vitit 2003 shkalla e papunësisë, sipas burimeve zyrtare, ra në nivelin 15 për qind krahasuar me 15.8 për qind që ishte në fund të vitit 2002.

Viti 2003 u karakterizua nga një inflacion i ulët, brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë. Vlera e inflacionit në muajin dhjetor rezultoi 3.3 për qind, duke respektuar objektivin e Bankës së Shqipërisë. Pavarësisht faktorëve të ndryshëm që kanë ndikuar, vlerësohet se ky inflacion i ulët e ka burimin tek administrimi i kujdesshëm i kërkesës së brendshme, si pasojë e politikave të përshtatshme fiskale e monetare.

Politika monetare e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2003 ka patur karakter zbutës. Ajo ka synuar uljen e kostos së huamarjes në ekonomi në përputhje me respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve dhe të ruajtjes së stabilitetit financiar të vendit. Banka e Shqipërisë ka ulur katër herë normën e interesit, në muajt prill, korrik, tetor dhe dhjetor. Norma bazë e interesit në fund të vitit zbriti në 6.5 për qind duke qenë në nivelin më të ulët të regjistruar.

Ulja e normës bazë të interesit gjatë vitit 2003 nuk ka ndikuar negativisht në treguesit monetarë. Treguesit monetarë gjatë vitit 2003 kanë ecur përgjithësisht sipas parashikimeve të programit monetar të Bankës së Shqipërisë. Raportet e elementeve të ofertës monetare janë rikthyer në ekuilibrin e parakrizës së tërheqjes së depozitave të vitit 2002. Paraja e kthyer në sistem ka lëvizur në drejtim të depozitave me afat në lekë. Në fund të vitit, norma vjetore e rritjes së tyre arriti në 19.1 për qind, duke qenë ndjeshëm mbi normat vjetore të viteve të kaluara.

Tregu bankar pësoi zhvillime të rëndësishme gjatë vitit 2003. Hyrja e një banke të re dhe miratimi paraprak për një tjetër (të dyja bankat e reja me kapital vendas) u shoqërua nga përfundimi i suksesshëm i shitjes së Bankës së Kursimeve, e cila iu shit në masën 100 për qind investitorit strategjik Raifeissen Bank, një bankë e mirënjohur kjo në tregun financiar ndërkombëtar. Pas këtyre ndryshimeve sistemi bankar shqiptar, në fund të vitit 2003, numëron 15 banka.

Viti 2003 ishte një vit i veçantë dhe i rëndësishëm për Shqipërinë, në procesin e integrimit evropian, pasi shënoi çeljen, në fund të muajit janar, të bisedimeve zyrtare për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Banka e Shqipërisë ka qenë anëtare aktive e grupit negociator të Qeverisë Shqiptare. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë ka diskutuar nene të marrëveshjes që kanë lidhje me krijimin e institucioneve bankare dhe aktivitetet e lejuara financiare që kryejnë këto institucione; nene që lidhen me liberalizimin e lëvizjeve të kapitalit; me problemet e parandalimit të pastrimit të parasë etj..

Prej kohësh, Banka e Shqipërisë ka shprehur ambicien e saj për të përafruar modelin e vet të bankingut qendror pranë atij të Bankës Qendrore Evropiane. Për këtë arsye, ndryshimet dhe rregullimet e akteve nënligjore të saj janë dhe do të vazhdojnë të mbështesin këtë synim.

Gjithashtu, në funksion të përmirësimit të infrastrukturës së ekonomisë dhe tregjeve shqiptare dhe veçanërisht në drejtim të ndërgjegjësimit të publikut për përparësitë e privatizimit të sistemit bankar, për kujdesin ndaj çmimeve të konsumit në fund të vitit, për uljen graduale të përdorimit të cash -it në ekonomi etj..

Raporti Vjetor në vijim përmban një trajtim më të detajuar të këtyre çështjeve të prekura në fjalën time. Duke shpresuar se ai do të ofrojë një pasqyrë të mirë të ecurisë së ekonomisë shqiptare dhe të aktivitetit të Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2003, ju ftoj të njiheni më nga afër me të.

Per me shume, lexoni ne websitin e Bankes se Sqiperise:

http://www.bankofalbania.org